Në procesin gjyqësor ndaj Leonard Dukës, i njohur edhe me nofkën “Princi Damian”, ka dëshmuar fotografi Klevin Halili, i cili u pyet lidhur me raportin e modeles Trejsi Sejdini me të pandehurin.
Emri i fitueses së “Miss Universe Albania 2018” u përfshi më herët në dosjen e SPAK, ku sipas materialeve hetimore përmendej një transfertë parash që Duka kishte kërkuar t’i dërgohej modeles gjatë kohës që ajo ndodhej në New York.
Në dëshminë e tij në gjykatë, Halili tha se me Sejdinin ka një miqësi të afërt dhe bashkëpunim profesional, por mohoi të ketë pasur dijeni për një lidhje sentimentale mes saj dhe Leonard Dukës.
Ai tregoi se në janar të vitit 2020 kishte udhëtuar me modelen drejt Shteteve të Bashkuara për pushime dhe për realizimin e disa seteve fotografike. Sipas tij, qëndrimi i tyre në New York u zgjat për shkak të pandemisë së COVID-19.
Halili deklaroi se gjatë asaj periudhe Sejdini kishte marrë një banesë me qira, ndërsa ai kishte qëndruar te motra e tij.
“Nuk kam dëgjuar asnjëherë për Leonard Dukën. Trejsi Sejdinin e njoh dhe më lidh një shoqëri e ngushtë dhe bashkëpunim profesional. Nuk kam pasur dijeni për lidhje sentimentale mes tyre”, ka deklaruar ai.
Fotografi shtoi gjithashtu se gjatë qëndrimit në SHBA, modelja merrte herë pas here para nga Shqipëria përmes pikave të transfertave financiare dhe se në disa raste ai i kishte tërhequr këto shuma për llogari të saj, pa u interesuar për personin që i kishte dërguar.
Dëshmia e tij u dha në kuadër të gjykimit për dosjen e njohur si “Revanshi”, ku janë përfshirë disa persona të dyshuar për veprimtari kriminale.
