Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka reaguar pas votimit në Kuvend ku rezultoi si një nga dy votat kundër për shkarkimin nga detyra të ish-ministres së Jashtme, Elisa Spiropali.
Përmes një reagimi publik, Topalli sqaroi se vota kundër ka qenë një gabim teknik dhe jo një qëndrim politik i saj.
Sipas deputetes, gjatë momentit të tensionuar në Kuvend ajo ka shtypur gabimisht butonat në sistem për të kërkuar fjalën, ndërsa në të njëjtën kohë po zhvillohej procesi i votimit.
“Në momentin e kaosit në Parlament, kur opozitës nuk po i jepej fjala, kam shtypur gabimisht dy butonat në sistem për të marrë fjalën. Kjo ka përkuar rastësisht me momentin e votimit për shkarkimin e një ministri”, u shpreh Topalli.
Ajo theksoi se bëhet fjalë për një lapsus teknik dhe jo për shprehje të vullnetit të saj politik.
Topalli shtoi gjithashtu se në momentin e votimit kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndodhej në foltore dhe nuk ka marrë pjesë në votim.
