Italia po planifikon të dërgojë ndihmë ushtarake në shtetet e Gjirit, kryesisht në fushën e mbrojtjes ajrore, pas sulmeve të fundit iraniane në rajon.
Lajmi është konfirmuar nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni gjatë një interviste për radion RTL 102.5, ku ajo theksoi se Roma synon të veprojë në koordinim me vendet e tjera europiane.
Sipas saj, edhe vende të tjera si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania po shqyrtojnë masa të ngjashme për të forcuar mbrojtjen e shteteve të Gjirit përballë kërcënimeve nga sulmet iraniane.
“Ashtu si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, edhe Italia synon të dërgojë ndihmë në shtetet e Gjirit, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe konkretisht mbrojtjes ajrore”, deklaroi Meloni.
Kryeministrja italiane theksoi se vendimi lidhet jo vetëm me marrëdhëniet e ngushta të Italisë me vendet e rajonit, por edhe me sigurinë e qytetarëve dhe forcave italiane që ndodhen në Lindjen e Mesme.
Sipas saj, dhjetëra mijëra qytetarë italianë jetojnë në rajon, ndërsa rreth 2 mijë ushtarë italianë janë të dislokuar në zona të ndryshme të Lindjes së Mesme. Italia synon të marrë masa për të garantuar sigurinë e tyre në një moment të rritjes së tensioneve në rajon.
