Çdo biznes apo individ që cenon sigurinë ushqimore do të përballet me ndëshkime sipas ligjit. Ky ishte mesazhi i dhënë gjatë një takimi mes Kryeinspektorit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, dhe inspektorëve, ku u diskutua reforma e re e inspektimeve në bazë risku.
Sula theksoi se bizneset që shkelin ligjin dhe veprojnë në dëm të interesit publik do të jenë objekt kontrollesh dhe masash ndëshkuese.
“Ato biznese që shkelin ligjin dhe janë të prirur të bëjnë gjëra në dëm të interesit të madh publik dhe qytetarit sigurisht që duhet të ndëshkohen dhe kontrollohen sipas ligjit”, u shpreh ai.
Një nga çështjet kryesore që do të jetë në fokus të kontrolleve është manipulimi me datat e skadencës së produkteve ushqimore.
Sula paralajmëroi se disa biznese tentojnë të ndryshojnë etiketat e produkteve në fund të periudhës së skadencës për të shmangur humbjet, një praktikë që sipas tij mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin e konsumatorëve.
“Duhet të jemi të vëmendshëm që çdo element abuziv të parandalohet, sepse nëse nuk parandalohet, ato produkte përfundojnë në tavolinat tona si ushqim dhe dëmi mund të jetë i pallogaritshëm”, theksoi ai.
Nga ana e saj, drejtoresha e përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Blerina Gjylameti, deklaroi se siguria ushqimore mbetet një prioritet dhe se ndaj çdo abuzimi do të zbatohet politika e “zero tolerancës”.
Ajo shtoi se përveç kontrolleve dhe masave ndëshkuese, do të ketë edhe bashkëpunim me bizneset për t’i ndihmuar në përmbushjen e standardeve të kërkuara.
“Zero tolerancë për të gjithë ata që cenojnë sigurinë ushqimore, por njëkohësisht edhe bashkëpunim me biznesin për të përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet e sigurisë ushqimore”, u shpreh Gjylameti.
Sipas saj, institucionet duhet të funksionojnë si një trup i vetëm dhe të bashkëpunojnë për të realizuar inspektime më efikase dhe të bazuara në analizën e riskut.
