Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar datën e protestës së radhës kombëtare të opozitës, e cila do të mbahet më 12 mars.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestë kundër qeverisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për politika që, sipas tij, janë në dëm të interesave kombëtare.
Sipas Berishës, Rama po e largon Shqipërinë nga rruga drejt Bashkimit Europian dhe po e orienton vendin drejt Beogradit. Ai e cilësoi këtë si një politikë të rrezikshme për të ardhmen e vendit.
Në fjalën e tij, lideri i opozitës kritikoi edhe afrimin e Ramës me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, duke e konsideruar këtë zhvillim si një kërcënim për interesat kombëtare.
Berisha theksoi se protesta e 12 marsit do të jetë një reagim i fortë qytetar ndaj qeverisë dhe u shpreh i bindur se qytetarët do t’i përgjigjen thirrjes së opozitës për mobilizim.
