Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar ndryshimet në qeveri të propozuara disa ditë më parë nga kryeministri Edi Rama.
Me dekretin presidencial është zyrtarizuar shkarkimi nga detyra i Belinda Ballukut nga posti i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Po ashtu janë shkarkuar edhe Elisa Spiropali nga detyra e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Pirro Vengu nga Ministria e Mbrojtjes, Albana Koçiu nga Ministria e Brendshme, Besfort Lamallari nga Ministria e Drejtësisë dhe Toni Gogu nga posti i ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Njëkohësisht, Presidenti Begaj ka dekretuar edhe emërimet e reja në kabinetin qeveritar. Albana Koçiu është emëruar zëvendëskryeministre, Ferit Hoxha ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Besfort Lamallari ministër i Punëve të Brendshme dhe Ermal Nufi ministër i Mbrojtjes.
Gjithashtu, Toni Gogu është emëruar ministër i Drejtësisë, ndërsa Enea Karakaçi do të drejtojë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Erjona Ismaili është emëruar ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Ndryshimet në kabinet vijnë pas riorganizimit të qeverisë të ndërmarrë nga kryeministri Rama, ndërsa dekretimi i tyre nga Presidenti i Republikës i bën zyrtare këto lëvizje në ekzekutiv.
