Një incident i rëndë detar është raportuar pranë brigjeve të Sri Lankës, ku një anije luftarake iraniane është goditur nga një nëndetëse, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe të zhdukur.
Sipas burimeve të marinës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të cituara nga “Reuters”, të paktën 101 persona rezultojnë të zhdukur dhe 78 të tjerë janë plagosur pas sulmit ndaj fregatës iraniane “IRIS Dena”.
Informacionet paraprake sugjerojnë se fregata mund të jetë goditur nga një nëndetëse iraniane, çka do ta bënte ngjarjen një aksident, por kjo pistë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Më herët, autoritetet lokale raportuan se rreth 32 marinarë të plagosur rëndë janë nxjerrë nga anija e dëmtuar, e cila ndodhej rreth 40 kilometra në jug të ishullit të Sri Lankës. Ministri i Mbrojtjes deklaroi se fregata është fundosur pas incidentit.
Anija, e cila kishte në bord rreth 180 anëtarë ekuipazhi, kishte dërguar një sinjal emergjence në orët e para të mëngjesit.
Pas thirrjes për ndihmë, marina e Sri Lankës nisi menjëherë një operacion shpëtimi dhe deri tani ka arritur të nxjerrë nga uji të paktën 30 persona nga ekuipazhi.
Ministri i Jashtëm i Sri Lankës, Vijitha Herath, konfirmoi incidentin para parlamentit, duke shtuar se autoritetet e vendit po ndjekin nga afër situatën dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme.
