Mojtaba Hosseini Khamenei, djali i Ajatollah Ali Khameneit, është raportuar se është zgjedhur Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, sipas disa mediave pranë opozitës iraniane.
Vendimi mendohet të jetë marrë nga Asambleja e Ekspertëve, organi kushtetues përgjegjës për zgjedhjen e liderit suprem në Republikën Islamike. Zgjedhja vjen pas vrasjes së Ali Khameneit në një sulm ajror gjatë përshkallëzimit të konfliktit në rajon.
Sipas raportimeve, emërimi i Mojtaba Khameneit është bërë në një moment krize politike dhe ushtarake për Iranin, ndërsa vendi po përballet me tensione të forta me SHBA-në dhe Izraelin.
Mojtaba Khamenei, 56 vjeç, konsiderohej prej kohësh një figurë me ndikim në rrethin e ngushtë të pushtetit në Teheran dhe një nga kandidatët më të mundshëm për të pasuar të atin në krye të Republikës Islamike.
Megjithatë, zgjedhja e tij është parë si e diskutueshme nga disa analistë dhe kritikë, të cilët e konsiderojnë një zhvillim që ngjason me një trashëgimi familjare të pushtetit, gjë që bie ndesh me parimet e deklaruara të sistemit politik iranian.
Ndërkohë situata në Iran mbetet e paqartë, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë dhe vendi përballet me një tranzicion të vështirë politik pas vdekjes së liderit të mëparshëm.
Në ditët e fundit janë raportuar edhe protesta dhe reagime të forta brenda vendit lidhur me mundësinë e ardhjes së Mojtaba Khameneit në krye të shtetit.
