Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi nga Shkupi se aleanca nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se misioni i KFOR-it në Kosovë do të vijojë të mbetet i fuqishëm dhe i gatshëm për të përmbushur detyrën e tij.
Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, Rutte nënvizoi se stabiliteti në rajon ka rëndësi strategjike për NATO-n dhe falënderoi autoritetet në Shkup për kontributin e tyre në misionin paqeruajtës në Kosovë.
Ai theksoi se KFOR-i vazhdon të luajë rol kyç në garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe se bashkëpunimi mes aleatëve mbetet thelbësor për sigurinë e përbashkët.
Misioni i KFOR-it u vendos në Kosovë në qershor 1999, pas përfundimit të luftës, me synimin për të krijuar një mjedis të sigurt dhe për të parandaluar rikthimin e dhunës. Aktualisht, forca shumëkombëshe përbëhet nga rreth 4.700 trupa, përfshirë rreth 590 ushtarë amerikanë, ndërsa në fillim numëronte mbi 50.000 trupa.
