Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar shkarkimin nga detyra të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, gjatë një prononcimi për mediat para SPAK, ku ishte në zbatim të masës “Detyrim paraqitje”.
Berisha deklaroi se Proda mund të jetë larguar nga detyra për shkak se, sipas tij, nuk arriti të mbronte vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha gjatë protestës së së shtunës.
“Druaj se u largua pasi nuk mbrojti vilën e Enver Hoxhës. Policia ishte me mburoja kudo, aty nuk kishte njeri,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se gjatë protestës ishte përhapur informacion se në vilë banonte kryeministri, çka sipas tij nxiti reagimin e protestuesve, ndërsa më pas situata u sqarua.
Nga ana tjetër, nuk ka një reagim zyrtar që të lidhë shkarkimin e Prodës me ngjarjet e protestës, ndërsa situata politike vijon të mbetet e tensionuar pas përplasjes së fundit mes opozitës dhe mazhorancës.
