Prej dhjetë ditësh, juglindja e vendit vijon të mbetet e izoluar pas shembjes së segmentit Librazhd–Prrenjas, pjesë e aksit Elbasan–Qafë Thanë. Në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës” po punohet për largimin e masivit të dherave që mbuloi trupin e rrugës, ndërsa qarkullimi mbetet i ndërprerë.
Autoritetet bëjnë me dije se ndërhyrjet për pastrimin e zonës dhe analizat gjeologjike po vijojnë, por ende nuk ka një afat konkret për rikthimin e qarkullimit apo për hapjen e një rruge alternative. Situata ka prekur jo vetëm qarkun e Korçës, por edhe fshatra në zonat e Përrenjasit dhe Librazhdit, ku banorët detyrohen të lëvizin në këmbë në kushte të vështira.
Rama: Fatkeqësi natyrore, jo korrupsion
Kryeministri Edi Rama reagoi duke e cilësuar ngjarjen si një “fatkeqësi natyrore” dhe mohoi çdo lidhje me korrupsionin. Sipas tij, rrëshqitja është pasojë e gjeologjisë së vështirë dhe reshjeve intensive të dimrit, duke theksuar se ajo ka prekur rrugën e vjetër dhe jo segmentin e ri në ndërtim të Korridorit VIII.
Rama deklaroi se ndërhyrja emergjente ka nisur menjëherë dhe se po punohet paralelisht për stabilizimin gjeoteknik të terrenit dhe për zhvillimin e infrastrukturës së re strategjike.
Ndërkohë, qytetarët dhe bizneset në juglindje vijojnë të përballen me pasojat e izolimit, ndërsa pritja për një afat zyrtar për hapjen e plotë të rrugës vazhdon.
