Kryeministri britanik Keir Starmer konfirmoi se Britania nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, por ka pranuar kërkesën e Uashingtonit për përdorimin e bazave ushtarake britanike për operacione të kufizuara mbrojtëse.
Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Starmer theksoi se partnerët në Gjirin Persik kanë kërkuar mbështetje shtesë për mbrojtje.
“Partnerët tanë në Gjirin Persik na kanë kërkuar të bëjmë më shumë për t’i mbrojtur ata dhe është detyra ime të mbroj shtetasit britanikë,” u shpreh ai.
Sipas kryeministrit, avionë luftarakë britanikë janë tashmë në ajër si pjesë e operacioneve të koordinuara mbrojtëse dhe kanë interceptuar sulme iraniane. Ai shtoi se SHBA-të kanë kërkuar leje për përdorimin e bazave britanike për një qëllim “specifik dhe të kufizuar mbrojtës”, kërkesë që Londra ka vendosur ta pranojë për të parandaluar kërcënime të mëtejshme në rajon.
