Katër muaj pasi u mor e pandehur për çështjen e tenderit të Tunelit të Llogarasë, pozita e Belinda Ballukut përballë drejtësisë është rënduar. Në mbledhjen me dyer të mbyllura në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, SPAK ka kërkuar autorizim për arrestimin e saj, duke pretenduar se ka prova të reja dhe se rrezikon një dënim të lartë.
Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, dosja hetimore është voluminoze dhe përmban rreth 16 mijë faqe materiale, si edhe një numër të madh përgjimesh telefonike. Ai deklaroi se, sipas prokurorëve, vetëm printimi i përgjimeve do të kërkonte “më shumë se 3 furgonë të mbushur me letër”.
Përgjimi 11-minutësh dhe pretendimet për kërcënime
Bardhi theksoi se një element kyç i dosjes është një bisedë telefonike mbi 11 minuta e datës 20 nëntor 2025, ku – sipas tij – përmendet përdorimi i personave me precedentë penalë për të intimiduar dëshmitarë. Ai pretendoi se në një rast është kërcënuar familjari i një dëshmitareje në një qytet jashtë Tiranës.
Sipas tij, nga përgjimet del përfshirje e “të fortëve” në procese që lidhen me tendera publikë dhe ndikim në orientimin e tyre.
Dy vila pushimi në jug
Bardhi ngriti gjithashtu dyshime për pasuri të fshehura, duke deklaruar se Balluku disponon dy vila pushimi në kompleksin OLEAS në Drimadhë. Ai i bëri thirrje Prokurorisë të verifikojë nëse ekzistojnë prona të tilla dhe të zhvillojë hetim të plotë pasuror.
Roli i ish-zyrtarit të arrestuar
Sipas Bardhit, ish-kreu i ARRSH, Evis Berberi, i arrestuar nga SPAK, po bashkëpunon me drejtësinë dhe ka ndihmuar në sigurimin e provave, përfshirë një telefon me komunikime të rëndësishme për hetimin.
Nga ana tjetër, Balluku nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre pretendimeve, ndërsa pritet që zhvillimet e mëtejshme në drejtësi të sqarojnë pozicionin e saj në këtë çështje.
