Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot pushimin e shqyrtimit të çështjes së prokurores së Tiranës Armida Hamiti, duke sjellë si rezultat që vendimi i KPK-së për konfirmimin në detyrë të Hamitit, i marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 21 dhjetor 2022, të marrë formë të prerë.
Kolegji argumenton në vendim se tërheqja nga kërkesa për shkarkim e prokurorit të SPAK Adnan Xholi, i cili përfaqësonte drejtuesin e SPAK, Altin Dumani në çështjen e vetingut të prokurores së Tiranës, barazohet nga pasojat me heqjen dorë nga ankimi.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 7/2023, datë 14.02.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 605, datë 21.12.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Armida Hamiti (Moçka).
