Shkarkimi i Belinda Ballukut nga posti i zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës është cilësuar nga vëzhgues të politikës si një veprim i vonuar dhe i pamjaftueshëm.
Sipas analizës së publikuar nga BIRN, vendimi i kryeministrit Edi Rama erdhi katër muaj pasi Prokuroria e Posaçme e mori Ballukun të pandehur për shkelje të barazisë në tendera. Ekspertët argumentojnë se masa duhej marrë më herët dhe se ajo nuk ndryshon realisht qasjen e qeverisë ndaj drejtësisë.
Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike, e cilëson shkarkimin si një hap pozitiv, por të vonuar, duke theksuar se Kuvendi duhet të miratojë kërkesën e SPAK për hetime të plota. Edhe pedagogu Ilir Kalemaj e konsideron vendimin të pamjaftueshëm për mesazhin që i jepet institucioneve të drejtësisë.
Sipas analizës, ndryshimet në kabinet duken më tepër si një “makiazh politik”, ndërsa theksohet se Balluku mund të vijojë të ketë ndikim në Partinë Socialiste për sa kohë gëzon mbështetjen e kryeministrit.
Ekspertët shtojnë se zhvillimet e fundit rrezikojnë të zhvendosin vëmendjen nga reformat dhe procesi i integrimit, duke e mbajtur debatin politik të fokusuar tek çështjet e hetimeve dhe përgjegjësisë institucionale.
