Arsim Bajrami vetëofrohet për president, kërkon mbështetje nga LVV dhe opozita

Data

Ish-ministri i Administratës Publike dhe i Arsimit, Arsim Bajrami, ka shpallur gatishmërinë për të kandiduar për president të Kosovës, duke u paraqitur si një kandidat konsensual në një moment kyç për vendin.

Kuvendi i Kosovës duhet të zgjedhë presidentin e ri deri më 4 mars, pasi mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon në prill.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami kërkoi mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) si parti në pushtet, si dhe të partive opozitare PDK, LDK dhe AAK. Ai theksoi se i plotëson kushtet profesionale, politike dhe morale për të qenë një figurë unifikuese dhe garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve.

Për të garuar, Bajrami duhet të sigurojë të paktën 30 nënshkrime deputetësh, ndërsa për t’u zgjedhur nevojiten dy të tretat e votave në Kuvendin me 120 vende.

Ai u largua nga politika aktive në vitin 2019 pas dorëheqjes nga PDK, ndërsa gjatë karrierës së tij ka shërbyer si ministër, deputet dhe ka qenë pjesë e proceseve kyçe të shtetndërtimit të Kosovës, përfshirë negociatat e Rambujesë dhe procesin e Vjenës për pavarësinë.

Deri më tani, situata mbetet e paqartë për arritjen e një konsensusi, ndërsa dështimi për zgjedhjen e presidentit brenda afatit do ta çonte vendin në zgjedhje të reja parlamentare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related