Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, ka mbërritur paraditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Diplomati holandez pritet të zhvillojë takimin e parë zyrtar me kreun e ri të SPAK, Klodjan Braho, i cili mori detyrën në dhjetor 2025.
Takimi zhvillohet në një moment të rëndësishëm për institucionin e drejtësisë, që ndodhet në qendër të vëmendjes publike për shkak të hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë dhe çështjeve me ndjeshmëri politike. Vizita e ambasadorit shihet si shprehje e interesit dhe mbështetjes së vazhdueshme ndërkombëtare për forcimin e pavarësisë së drejtësisë në Shqipëri.
Burime bëjnë me dije se në fokus të bisedës pritet të jenë bashkëpunimi ndërkombëtar, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbështetja institucionale për SPAK në fazën e re të drejtimit.
