Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se Shqipëria ndodhet në një “udhëkryq historik” sa i takon integrimit europian, duke akuzuar mazhorancën se po refuzon të zbatojë ligjin dhe standardet që kërkon Bashkimi Europian.
Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku tha se e njëjta forcë politike që, sipas saj, në vitin 2010 bllokoi ligje të rëndësishme, sot po e çon vendin në një tjetër bllokim – atë të procesit të integrimit – për shkak të mungesës së zbatimit të drejtësisë “njësoj për të gjithë, pa përjashtime dhe pa privilegje”.
Ajo theksoi se vendi përballet me probleme serioze ekonomike, si fuqia e ulët blerëse, pensionet e pamjaftueshme, pasiguria për biznesin dhe rritja e çmimeve, duke e cilësuar situatën si pasojë të një modeli qeverisjeje që vendos interesin personal mbi atë kombëtar.
Sipas Tabakut, zgjedhja përpara shqiptarëve është mes një sistemi të përqendruar në pushtet dhe një Shqipërie europiane me institucione të forta, ekonomi të ndershme dhe drejtësi të barabartë. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar përpara Kryeministrisë.
