Përplasje në PS për agjencinë e re të burgjeve, drejtori do emërohet nga Kryeministri

Data

Një debat i fortë është zhvilluar në mbledhjen e Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes mes kryetarit të komisionit, Bledi Çuçi, dhe ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, lidhur me projektligjin për krijimin e një agjencie të re për mbikëqyrjen e sistemit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Debati u përqendrua te mënyra e emërimit të drejtorit të agjencisë së re. Ministri Lamallari argumentoi se, duke qenë se mban përgjegjësi politike për sistemin penitenciar, duhet të ketë rol vendimtar në emërimin e drejtuesit. Ai theksoi se ky është qëndrimi i qeverisë dhe se Ministria e Drejtësisë nuk ka dhënë dakordësi për ndryshimin e propozuar.

Nga ana tjetër, Çuçi kundërshtoi pretendimin se ndryshimi do të zbehte kontrollin e ministrit mbi sistemin e burgjeve. Sipas tij, përgjegjësia politike dhe kompetencat burojnë nga ligji dhe hierarkia institucionale, jo nga mënyra formale e emërimit të drejtuesit.

Në përfundim, projektligji kaloi me variantin që parashikon që drejtori i agjencisë të emërohet nga Kryeministri, me propozim të ministrit, duke e zhvendosur kompetencën finale jashtë Ministrisë së Drejtësisë.

Agjencia e re pritet të jetë një hallkë kyçe në sistemin penitenciar, ndërsa vendimmarrja për emërimin e drejtuesit të saj ka nxjerrë në pah një përplasje të brendshme mes përfaqësuesve të mazhorancës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related