Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka paralajmëruar se protesta e së shtunës do të jetë ndryshe nga organizimet e mëparshme të opozitës, duke theksuar se do të ketë forma të reja mobilizimi.
Në një deklaratë televizive, Balliu tha se opozita do të diversifikojë protestat me synimin që ato të jenë të vazhdueshme dhe të mos ndalen. Ai nuk dha detaje mbi organizimin për arsye logjistike, por siguroi se protesta do të sjellë një qasje të re.
Sipas tij, opozita do të vijojë presionin për krijimin e një qeverie tranzitore ose teknike, duke e kombinuar aksionin e brendshëm politik me takimet me partnerët ndërkombëtarë. Balliu përmendi edhe diskutimet me përfaqësues të PPE dhe eksperiencën e modelit maqedonas për qeverinë teknike.
Deputeti demokrat theksoi se qëllimi kryesor është vazhdimësia e protestave dhe rritja e presionit politik, ndërsa shtoi se protesta e së shtunës pritet të jetë e suksesshme.
