Juristi Indrit Sefa deklaroi se nuk pret surpriza nga seanca plenare ku do të votohet për imunitetin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke parashikuar se mazhoranca do të votojë e unifikuar sipas qëndrimit të kryeministrit Edi Rama.
Sipas Sefës, nëse Partia Socialiste vendos ta mbrojë deri në fund Ballukun, kjo mund të sjellë pasoja politike si për mazhorancën, ashtu edhe për vetë kryeministrin. Ai theksoi se partnerët ndërkombëtarë e kanë bërë të qartë rëndësinë e respektimit të institucioneve të drejtësisë.
“Vija e kuqe për ndërkombëtarët është SPAK. Nga vendimmarrja për këtë çështje varet jo vetëm e ardhmja politike e PS-së, por edhe rruga europiane e vendit,” u shpreh ai.
Duke komentuar edhe situatën me infrastrukturën rrugore, Sefa e cilësoi gjendjen shqetësuese, duke theksuar se çdo vit prokurohen qindra miliona euro për mirëmbajtjen e rrugëve, ndërkohë që vendi përballet me dëmtime të përsëritura në akse të rëndësishme.
