Një ngjarje e rëndë është raportuar në Durrës, ku një foshnjë ka humbur jetën vetëm pak orë pas lindjes. Ngjarja ka ndodhur më 19 shkurt, ndërsa rasti është referuar në organet ligjzbatuese.
Sipas informacioneve, foshnja kishte lindur në maternitetin e Spitalit Rajonal Durrës dhe më pas ishte dërguar në banesë, ku ka ndërruar jetë. Nëna e foshnjës ka bërë kallëzim, duke pretenduar se humbja e jetës ka ardhur si pasojë e neglizhencës mjekësore.
Policia njofton se specialistët për Hetimin e Krimeve kanë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal ndaj mjekut gjinekolog, 43 vjeç, për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e plota të humbjes së jetës së foshnjës dhe për të verifikuar pretendimet e paraqitura.
