Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos e kalojë në seancë plenare çështjen që lidhej me procedurën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Vendimi vjen pas kërkesës së Adriana Kalasë, e cila kërkoi konstatimin si të paligjshëm të procedurës së ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e Endri Shabani si Avokat i Popullit.
Parlamenti e zgjodhi Shabanin më 11 dhjetor me 85 vota pro nga deputetët e PS-së dhe PSD-së, ndërsa tre deputetë votuan kundër. Partia Demokratike dhe Partia Mundësia nuk morën pjesë në votim.
Opozita kundërshtoi procedurën, duke pretenduar se ishin tërhequr firmat mbështetëse për kandidaturat dhe se Shabani nuk ishte një kandidaturë e mbështetur prej saj.
Me vendimin për të mos e kaluar çështjen në seancë plenare, Gjykata Kushtetuese e konsideron të mbyllur shqyrtimin e kërkesës në këtë fazë.
