Një segment rrugor në zonën e Picrragës, vetëm 3 kilometra nga qyteti i Krujës, është shembur duke u bërë i rrezikshëm për qarkullimin e mjeteve.
Pamjet e publikuara tregojnë dëmtime të konsiderueshme në trupin e rrugës, duke e bërë atë pothuajse të pakalueshme. Banorët e zonës shprehen të shqetësuar për sigurinë, pasi segmenti përdoret çdo ditë nga familjet që jetojnë në fshat.
Denoncimi është bërë publik nga Aulon Kalaja, i cili thekson se situata përbën rrezik serioz dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të shmangur incidente të mundshme.
Ndërkohë, pritet reagimi i institucioneve vendore për masat që do të merren për rikthimin e sigurisë në këtë segment rrugor.
