Aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari ka reaguar me akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur atë me atë që ajo e quan “Bordi i Paqes” dhe me figura pranë ish-presidentit amerikan Donald Trump, përfshirë Jared Kushner.
Në një reagim në rrjetet sociale, Kokalari pretendon se ekzistojnë lidhje mes kryeministrit shqiptar dhe investitorëve të huaj, duke kërkuar transparencë mbi identitetin dhe burimin e financimeve të projekteve që, sipas saj, lidhen me universitete dhe iniciativa arsimore në Shqipëri.
Reagimi për vizitën në Korçë
Kokalari komentoi gjithashtu udhëtimin e Ramës me helikopter drejt Korçës më 23 shkurt, ku kryeministri inspektoi përfundimin e punimeve në Polin e Dijes. Sipas saj, çështja nuk qëndron tek mjeti i transportit, por tek investitorët që e shoqëronin dhe burimi i financimeve të tyre.
Ajo ka ngritur pikëpyetje mbi origjinën e kapitalit, duke përmendur mundësinë e financimeve nga vende të Lindjes së Mesme dhe duke kërkuar sqarime publike mbi marrëveshjet dhe ndikimin e mundshëm të tyre.
Akuzat për lidhje ndërkombëtare
Në reagimin e saj, Kokalari ka kritikuar gjithashtu rolin e Jared Kushner në projekte ndërkombëtare dhe ka paralajmëruar, sipas saj, pasoja politike në rast se do të provohen pretendimet për korrupsion.
Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga zyra e kryeministrit lidhur me këto deklarata.
