Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të vijojë të qëndrojë në paraburgim, pasi Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) rrëzoi kërkesën e tij për zëvendësimin e masës “arrest me burg” me një masë më të butë sigurie.
Veliaj kishte ofruar garanci pasurore në përpjekje për të ndryshuar masën e sigurisë, por trupa gjykuese vendosi të mos e pranojë kërkesën. Kryebashkiaku ishte i pranishëm në seancën e zhvilluar një ditë më parë.
Pas vendimit, avokatja e tij, Valentina Teodoresku, deklaroi se prokuroria nuk ka paraqitur prova të reja dhe se materialet e depozituara janë të njëjtat me ato të paraqitura më herët. Sipas saj, gjatë seancës u paraqit edhe një procesverbal që, në vlerësimin e mbrojtjes, nuk ka peshë për çështjen.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej 10 shkurtit 2025. Ai vijon të jetë në detyrë si kryebashkiak, pasi Gjykata Kushtetuese anuloi dekretin për zgjedhje të parakohshme në Tiranë.
SPAK ka mbyllur hetimet dhe e ka dërguar çështjen për gjykim, duke ngritur ndaj tij akuza për korrupsion në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Në dosje është përfshirë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila përballet me akuza për korrupsion pasiv.
