Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka zbuluar detaje nga mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku u shqyrtua kërkesa e SPAK për autorizimin e arrestimit të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Sipas tij, prokurorët paraqitën prova të reja që rëndojnë pozitën e saj, duke argumentuar se ekziston rrezik për prishje provash dhe intimidim dëshmitarësh.
“Moment 5-4-1 dhe telefonata”
Këlliçi pretendoi se gjatë votimit pati një moment 5-4-1, ku një deputet i mazhorancës kishte zgjedhur të abstenonte.
“Ka pasur një moment një votë 5-4-1. Një deputet i mazhorancës u shpreh për abstenim. Por brenda pak minutash, pas telefonatave, ndërroi votën,” – deklaroi ai, duke shtuar se deputeti në fjalë më herët kishte deklaruar publikisht se mjaftonte kërkesa e SPAK për të votuar pro.
Akuzat për ndërhyrje në prova
Deputeti demokrat akuzoi Ballukun se, edhe pse e pezulluar, vijon të paraqitet në zyrë.
“Edhe e pezulluar, shkon në zyrë çdo ditë. Shkon për të prishur prova dhe për të intimiduar dëshmitarët,” – tha Këlliçi.
Akuza ndaj qeverisë
Në deklaratat e tij, Këlliçi zgjeroi akuzat ndaj qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, duke folur për korrupsion në projekte infrastrukturore dhe institucione publike.
Nga ana tjetër, mazhoranca ka mbajtur qëndrimin se masa e pezullimit është e mjaftueshme, duke refuzuar autorizimin për arrestim, ndërsa çështja pritet të vijojë me zhvillime të tjera institucionale.
