Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke hedhur akuza të forta ndaj Belinda Ballukut dhe qeverisë.
Sipas tij, gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve, SPAK ka paraqitur fakte që tregojnë për presione dhe tentativa për korruptim ndaj dëshmitarëve të përfshirë në çështje. Këlliçi pretendon se këto veprime janë kryer përmes personave të lidhur me krimin, si dhe përmes ofertave financiare që, sipas tij, burojnë nga afera korruptive.
Ai thekson se këto pretendime, nëse provohen, janë të mjaftueshme për heqjen e imunitetit të Ballukut dhe për përgjegjësi politike në nivelet më të larta. “Heshtja e socialistëve është bashkëfajësi”, shkruan ai, duke akuzuar përfaqësuesit e mazhorancës se nuk mbështetën kërkesën e SPAK.
Këlliçi kritikoi gjithashtu anëtarët e Këshillit të Mandateve që nuk votuan pro heqjes së imunitetit, duke paralajmëruar se çdo deputet që, sipas tij, është në dijeni të këtyre akuzave dhe zgjedh të heshtë, mban përgjegjësi politike.
Në fund të reagimit, ai u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar nga opozita, duke e cilësuar atë si një reagim kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.
