Një operacion i përbashkët i strukturave doganore ka çuar në bllokimin e mbi 3.130 pajisjeve elektronike të llojeve dhe markave të ndryshme në Tiranë, të dyshuara si të falsifikuara ose të tregtuara pa autorizimet përkatëse.
Aksioni është zhvilluar nga Drejtoria e Antikontrabandës në bashkëpunim me Degën Doganore Tiranë dhe Drejtorinë e Markave dhe Patentave.
Sipas njoftimit zyrtar, organet doganore po vijojnë procedurat ligjore për verifikimin dhe hetimin e plotë të rastit, në kuadër të luftës kundër hyrjes dhe tregtimit të produkteve të falsifikuara në vend.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave thekson se mbetet në angazhim të plotë për të parandaluar çdo tentativë abuzimi apo shkelje të ligjit në fushën e tregtisë dhe importit.
