Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Medlir Mema, ka komentuar pjesëmarrjen e Shqipërisë dhe Kosovës në Bordin e Paqes, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm diplomatik.
Sipas Memës, për Kosovën pjesëmarrja është veçanërisht e rëndësishme, pasi kontribuon në forcimin e legjitimitetit ndërkombëtar. Ai theksoi se çdo anëtarësim apo përfshirje në organizime ndërkombëtare i shton peshë pozicionit të Kosovës në arenën globale, sidomos kur mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
“Për Kosovën është edhe më e nevojshme, sepse kërkon legjitimitet. Çdo organizim ndërkombëtar ku ajo merr pjesë i shton kredibilitet,” u shpreh ai.
Megjithatë, profesori theksoi se ftesa nuk ishte ekskluzive, pasi SHBA kanë ftuar rreth 50 vende, përfshirë edhe Rusinë dhe Kinën. Sipas tij, pjesëmarrja duhet parë me realizëm dhe jo të mbivlerësohet, por ai vlerësoi faktin që Shqipëria dhe Kosova e pranuan me zgjuarsi këtë ftesë.
