Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar rritjen e tarifës globale për importet nga 10% në 15%, me efekt të menjëhershëm.
Në një deklaratë publike, Trump theksoi se vendimi vjen pas muajsh shqyrtimi dhe është “plotësisht i lejueshëm dhe i verifikuar ligjërisht”. Ai u shpreh se shumë vende kanë përfituar për dekada nga marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara.
“Shumë prej tyre kanë shfrytëzuar Amerikën për vite me radhë. Kjo nuk do të vazhdojë më,” deklaroi ai.
Presidenti paralajmëroi gjithashtu se në muajt e ardhshëm administrata e tij do të vendosë tarifa të tjera të reja, me synimin për të forcuar ekonominë amerikane dhe për të mbrojtur prodhimin vendas.
Vendimi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në tregtinë ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet ekonomike të SHBA-së me partnerët globalë.
