Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Fran Marashit për shfuqizimin e urdhrit që e mban në regjim të posaçëm sigurie në burgun e sigurisë së lartë, i njohur si “41 Bis”.
Marashi kishte kundërshtuar urdhrin e Ministrisë së Drejtësisë të datës 13 dhjetor 2024, me të cilin ishte vendosur izolimi i tij në këtë regjim. Në vendimin nr. 119, datë 20.02.2026, gjyqtari Erjon Bani vendosi papranueshmërinë e kërkesës, duke arsyetuar se çështja kishte mbetur pa objekt.
Vendimi u mbështet në nenet 112 dhe 471, pika 5, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në disa vendime të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Fran Marashi është dënuar me burgim të përjetshëm për përfshirje në ngjarjen e njohur si masakra e Urës Vajgurore, e 17 qershorit 1997, ku humbën jetën katër efektivë policie dhe u plagosën disa të tjerë. Sipas dosjes së prokurorisë, ngjarja ndodhi gjatë trazirave të vitit 1997, kur mjetet e policisë u sulmuan me armë zjarri dhe mjete shpërthyese.
Me vendimin e fundit, Marashi do të vijojë të qëndrojë në regjimin e posaçëm të sigurisë së lartë, ndërsa mbetet e hapur mundësia e apelimit.
