Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, i miratuar me ligj më 12 dhjetor 2025 dhe i botuar në Fletoren Zyrtare më 7 janar 2026, mbetet i pazbatueshëm për shkak të mungesës së akteve nënligjore.
Megjithëse Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi më 26 janar se udhëzimi përkatës do të miratohej brenda gjysmës së parë të shkurtit, deri tani as udhëzimi dhe as vendimi i Këshillit të Ministrave për referencat e reja të pronave nuk janë miratuar.
Kjo fushatë e katërt rivlerësimi parashikon përdorimin e referencave të reja në 60 bashki të vendit, me përjashtim të Tiranës, e cila i ka miratuar ato në vitin 2023. Referencat e reja do të rrisnin automatikisht vlerën e pronave, veçanërisht në zonat bregdetare, dhe duhet të hynin në fuqi përpara nisjes së procesit.
Mungesa e këtyre vendimeve ka futur në ngërç tregun e pasurive të paluajtshme. Shumë pronarë po presin rivlerësimin për të përfituar nga ulja e tatimit në 5%, nga 15% që është aktualisht mbi fitimin nga shitja e pronës.
Për shembull, nëse një pronë e blerë për 100 mijë euro shitet për 120 mijë euro, aktualisht tatimi mbi diferencën 20 mijë euro është 15% (3 mijë euro). Me rivlerësimin, tatimi do të ishte 5%, ose 1 mijë euro për të njëjtën diferencë.
Ligji parashikon që procesi i rivlerësimit të zgjasë deri më 31 dhjetor 2026, por pa miratimin e udhëzimeve dhe referencave përkatëse, zbatimi i tij mbetet i bllokuar.
