Ka nisur protesta kombëtare e opozitës para Kryeministrisë, ku qindra qytetarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike janë mbledhur për të shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë.
Fjalën në tubim e mbajti deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e cila u shpreh se protesta e 20 shkurtit ka një simbolikë të veçantë historike. Ajo kujtoi rrëzimin e monumentit të diktatorit si një moment kthese për vendin, duke theksuar se “të gjithë diktatorët dhe autokratët bien” dhe se liria triumfon gjithmonë.
Tabaku akuzoi kryeministrin Edi Rama për ndërtimin e një sistemi që, sipas saj, favorizon një pakicë të privilegjuar në dëm të qytetarëve. “Sot jemi përballë një autokrati të rilindur. Sistemi i dhunës është zëvendësuar me diktaturën e korrupsionit,” deklaroi ajo nga podiumi.
Deputetja shtoi se ekonomia, sipas saj, është goditur rëndë, ndërsa shtresat në nevojë dhe familjet e zakonshme përballen me vështirësi të shtuara. Protesta vijon nën masa të shtuara sigurie nga Policia e Shtetit.
