Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar problemet e para në disa zona të Shqipërisë.
Lumi Seman ka dalë nga shtrati, duke përmbytur sipërfaqe toke bujqësore në disa fshatra brenda argjinaturës. Uji ka mbuluar parcela të mbjella, ndërsa fermerët shprehen të shqetësuar për dëmet e mundshme në kultura.
Autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencave civile ndodhen në terren, ku po monitorojnë nga afër situatën dhe nivelin e ujërave. Deri më tani nuk raportohet për rrezikim të banesave, por pritet që situata të mbetet në vëzhgim për shkak të parashikimeve për vijim të reshjeve.
Institucionet u bëjnë thirrje banorëve në zonat pranë lumenjve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të kushteve atmosferike.
