Hapet tenderi 90 milionë euro për hekurudhën Durrës–Rrogozhinë

Data

Hekurudha Shqiptare ka çelur zyrtarisht procedurën ndërkombëtare të prokurimit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, një nga segmentet më të rëndësishme të rrjetit kombëtar të transportit. Njoftimi është publikuar në platformën zyrtare të Bashkimit Europian për prokurimet publike (TED), ndërsa afati për dorëzimin e ofertave është caktuar në qershor 2026.

Projekti financohet kryesisht nga Bashkimi Europian përmes një granti prej 60.5 milionë eurosh në kuadër të Kornizës për Investimet në Ballkanin Perëndimor, si dhe me një hua prej 30 milionë eurosh nga Banka Europiane e Investimeve. Fondi total i vënë në dispozicion për kontratën arrin në 90 milionë euro.

Sipas dokumentacionit zyrtar, projekti parashikon rehabilitimin e rreth 34 kilometrave linjë hekurudhore, duke përfshirë rindërtimin e trasesë, urave dhe kalimeve, si dhe modernizimin e sistemeve të sinjalistikës dhe telekomunikacionit sipas standardeve evropiane të sigurisë. Gjithashtu do të rikonstruktohen stacionet përgjatë itinerarit dhe do të krijohen kushtet për elektrifikimin e linjës në një fazë të mëvonshme.

Segmenti nis pranë stacionit të Shkozetit dhe përfundon në stacionin e Rrogozhinës. Traseja kalon në zona urbane, gjysmë-urbane dhe rurale, me një pjesë të saj që ndjek paralelisht autostradën Durrës–Rrogozhinë. Një pikë kyçe është tuneli i Rrogozhinës, me gjatësi rreth 380 metra.

Linja Durrës–Rrogozhinë konsiderohet hallkë strategjike për lidhjen e portit të Durrësit me korridoret rajonale të transportit, përfshirë Korridorin VIII, si dhe për integrimin gradual të Shqipërisë në rrjetin hekurudhor evropian. Projekti synon të rrisë kapacitetin për transportin e mallrave dhe pasagjerëve, duke forcuar rolin e vendit në logjistikën rajonale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related