Moti i përkeqësuar dhe erërat e forta kanë shkaktuar probleme gjatë orëve të para të mëngjesit në qytetin e Vlorës. Në zonën e Pyllit të Sodës, disa pemë janë rrëzuar në rrugë, duke rrezikuar qarkullimin e automjeteve.
Rreth orës 04:00, një automjet është përplasur me një nga pemët e rrëzuara, duke sjellë bllokimin e përkohshëm të qarkullimit. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar. Shërbimet përkatëse ndërhynë menjëherë për largimin e pemës dhe normalizimin e trafikut.
Probleme janë shënuar edhe në jug të qarkut. Në Himarë, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dherash, duke bllokuar rrugën kryesore të fshatit Sënvasil. Lëvizja e automjeteve është vështirësuar ndjeshëm, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje të shpejtë me mjete të rënda për pastrimin e segmentit rrugor.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në qarkullim, pasi moti i paqëndrueshëm pritet të vijojë edhe gjatë orëve në vijim.
