Pas një seance maratonë që zgjati rreth 18 orë dhe u mbyll në orët e para të mëngjesit, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar disa projektvendime për plotësimin e vendeve vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Me 74 vota pro, 16 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët miratuan zgjedhjen e Selami Xhepës si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës.
Në një tjetër votim, me 72 vota pro, 19 kundër dhe 1 abstenim, u miratua kandidatura e Holta Zaçajt, e cila do të bëhet pjesë e organit më të lartë vendimmarrës të bankës qendrore.
Ndërkohë, projektvendimi për zgjedhjen e Matilda Shehut u shty për votim në një seancë tjetër plenare, me kërkesë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Kuvendi miratoi gjithashtu me 74 vota pro, 17 kundër dhe asnjë abstenim emërimin e Ervin Metes si anëtar të Këshillit Mbikëqyrës. Po ashtu, me 73 vota pro, 18 kundër dhe asnjë abstenim, u miratua zgjedhja e Jonida Priftit si anëtare e këtij institucioni.
Me këto votime, plotësohen katër vende në organin mbikëqyrës të bankës qendrore, ndërsa një kandidaturë mbetet për t’u shqyrtuar në një seancë të ardhshme.
