Ilir Beqaraj ka ankimuar në Gjykatën e Apelit vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, e cila e dënoi me 24 vite burg për vrasjen e Gentian Bejtjes, ngjarje e ndodhur më 15 mars të vitit të kaluar në Larushk të Fushë-Krujës.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi ndaj tij u reduktua në 16 vite heqje lirie. Përmes avokatëve, Beqaraj kërkon shpalljen e pafajësisë dhe rikthimin e çështjes për rigjykim, duke pretenduar shkelje të rënda procedurale dhe hetim të paplotë.
Sipas dosjes hetimore, persona të armatosur kanë hyrë në ambientet e banesës së Gentian Bejtjes pasi kanë kapërcyer rrethimin e jashtëm dhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Disa minuta pas atentatit, në fshatin Hasan të Fushë-Krujës u gjet i djegur një automjet tip “Land Rover”, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.
Nga hetimet ka rezultuar se Beqaraj, në periudha të ndryshme para ngjarjes, ka qenë me automjetin e tij pranë banesës së viktimës. Sipas organit të akuzës, kjo është provuar përmes të dhënave GPS të mjetit të marrë me qira prej tij.
Gentian Bejtja ishte objekt i disa atentateve të mëparshme. Më 4 korrik 2023, në një sulm në banesën e tij, mbeti i vrarë kunati i tij. Hetuesit dyshojnë se vrasja e Bejtjes lidhet me ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në Tiranë, Durrës dhe Fushë-Krujë.
