Boçi: Rama po synon të kufizojë SPAK-un për të mbrojtur veten, një kryeministër s’mund të bëjë ligje personale

Data

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka reaguar ashpër ndaj nismës së fundit ligjore të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të kufizuar veprimin e SPAK-ut dhe për të mbrojtur veten nga hetimet.

I ftuar në një emision televiziv, Boçi deklaroi se është e papranueshme që një politikan të propozojë ndryshime ligjore që, sipas tij, kanë si qëllim mbrojtjen personale.

“Nuk mundet një person të propozojë një ligj për veten e tij. Është tërësisht jashtë logjikës. Një njeri normal në politikë nuk mund ta bëjë këtë. Me këtë ndërhyrje Rama synon të mbrojë veten të parin dhe më pas të tjerët”, u shpreh ai.

Sipas Boçit, ndryshimet e propozuara nuk përbëjnë vetëm një ndërhyrje ndaj qytetarëve, por edhe një tentativë për të kufizuar kompetencat e Prokurorisë së Posaçme. Ai shtoi se kryeministri, sa herë përballet me akuza apo skandale, reagon me arrogancë dhe përpiqet të krijojë mburoja ligjore për veten dhe bashkëpunëtorët e tij.

Boçi theksoi gjithashtu se zhvillimet e fundit po ndiqen me vëmendje nga partnerët ndërkombëtarë dhe se, sipas tij, mbështetja që Rama ka pasur në të kaluarën po zbehet.

“Shpresojmë që komuniteti ndërkombëtar të jetë zgjuar dhe të shohë se kush është në të vërtetë Rama. Ata që dikur e përkrahnin sot e shohin me skepticizëm”, deklaroi nënkryetari i PD-së.

Debati për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale ka thelluar përplasjen mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa çështja pritet të diskutohet në Kuvend në ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related