Arrestimi i vëllait në Romë, rikthehen akuzat për të shkuarën e familjarëve të deputetes Elda Hoti

Data

Vëllai i deputetes së Partisë Demokratike, Elda Hoti, është arrestuar në Romë. Markelian Hoti u kap në zonën Ponte di Nona, në periferinë lindore të kryeqytetit italian, ku sipas mediave ishte strehuar në një hotel bashkë me partneren e tij.

Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, nën dyshimet për përfshirje në një organizatë që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës. Markelian Hoti rezulton të jetë arrestuar edhe më herët në Shqipëri, në prill të vitit 2002, për armëmbajtje pa leje dhe kanosje me armë zjarri. Në atë kohë ai u hetua edhe për tentativë vrasjeje, por u lirua pas një periudhe të shkurtër.

Rasti ka rikthyer në vëmendje edhe episode të tjera që janë përmendur më herët në media në lidhje me familjarë të deputetes. Bashkëshorti i saj, Ladi Ndoja nga Rrësheni, u arrestua në vitin 2016 në Venecia, pasi autoritetet italiane gjetën në banesën e tij rreth 50 kilogramë marijuanë dhe 24 karta identiteti të dyshuara si të vjedhura. Pas kësaj ngjarjeje, Elda Hoti ka deklaruar ndarjen nga bashkëshorti.

Ndërkohë, në vitin 2021, një qytetar iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një ankesë, ku pretendonte se deputetja kishte fshehur ndryshimin e emrit të babait të saj nga David në Artan Hoti, për shkak – sipas pretendimeve – të së shkuarës së tij. Deputetja Hoti i ka mohuar publikisht këto akuza në atë kohë.

Deri më tani, vetë deputetja nuk ka reaguar lidhur me arrestimin e fundit të vëllait të saj në Itali.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related