Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka përmbyllur këtë të mërkurë shqyrtimin gjyqësor për dosjen e njohur si “Sterilizimi”. Trupa gjykuese njoftoi se vendimi përfundimtar do të shpallet më 4 mars 2026, në orën 15:30.
Gjatë seancës së fundit, njëri prej të pandehurve, ish-drejtori ekonomik Sajmir Kadiu, kundërshtoi masën e sigurisë ndaj tij, duke e cilësuar arrestin shtëpiak si joproporcional.
“Kam tre vite në arrest shtëpiak dhe kam kaluar më shumë se dy muaj nga dënimi që ka kërkuar prokuroria. Nuk është fare proporcionale. Kam bërë ankim në Apel, por nuk ka pasur përgjigje,” u shpreh ai para gjykatës.
Në qershor 2025, SPAK kërkoi 6.8 vite burg për ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe për biznesmenin Ilir Rrapaj. Për tre ish-zyrtarët Marsela Serjanaj, Sajmir Kadiu dhe Petref Mersini u kërkuan nga 3 vite e 6 muaj burg. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, Serjanaj dhe Kadiu përfituan ulje dënimi në 2 vite e 4 muaj burg secili, ndërsa për Mersinin u kërkua 4 vite shërbim prove.
Për mjekun Arben Gjata, prokuroria kërkoi konvertimin e dënimit prej 1 vit e 4 muaj burg në 3 vite shërbim prove. Ndërkohë, për Genc Byrazerin dhe Naile Ajazin u kërkua nga 2 vite shërbim prove për secilin.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i akuzuar për vjedhje në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, po gjykohet veçmas sipas procedurës së zakonshme.
Vendimi i 4 marsit pritet të jetë një moment kyç për një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit në sistemin e drejtësisë.
