Situata e përmbytjeve në Goriçan të Beratit është rikthyer sërish, pasi lumi Seman ka dalë nga shtrati duke mbuluar sipërfaqe të mëdha toke bujqësore. Banorët thonë se kjo është hera e katërt që përballen me të njëjtën situatë brenda pak muajsh.
Që prej nëntorit të vitit të kaluar, serrat diellore, tokat e mbjella dhe stanet e bagëtive janë përfshirë nga uji. Fermerët shprehen se nuk po arrijnë të përgatisin mbjelljet për sezonin e ri, ndërsa prodhimi i gatshëm për treg është dëmtuar dhe kalbur.
Aktualisht, në zonë mund të qarkullojnë vetëm mjete të larta, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve dhe kontrollin e dëmeve në parcela.
Banorët kërkojnë dëmshpërblim, pasi sipas tyre janë zhytur në borxhe dhe nuk kanë mundësi të rikuperojnë ekonominë familjare.
Në terren ka qenë një përfaqësi nga Prefektura e Beratit dhe Bashkia Dimal, e cila ka inspektuar situatën. Autoritetet kanë deklaruar se do të kryhet një studim për ndërhyrje afatgjata, ndërsa lista e fermerëve të dëmtuar do t’i përcillet Ministrisë së Bujqësisë për vlerësim të mundshëm të dëmshpërblimit.
