Tensionet në Rrjoll të Velipojës janë rikthyer sërish këtë të mërkurë, teksa banorët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në zonë. Gjatë përplasjes me forcat e policisë, gjashtë persona u shoqëruan në komisariat, mes tyre edhe një grua.
Në reagim ndaj shoqërimeve, banorët u mblodhën para Drejtorisë Vendore të Policisë në Shkodër, duke kërkuar lirimin e protestuesve dhe ndalimin e punimeve. Ata pretendojnë se projekti prek pronat e tyre dhe se nuk janë konsultuar si duhet për zhvillimin në fjalë.
Një nga banoret u bëri thirrje autoriteteve të tërhiqen nga plani për ndërtimin e resortit, duke theksuar se komuniteti nuk do të heqë dorë nga toka që, sipas tyre, u përket prej brezash.
Protestat në Rrjoll vijojnë prej më shumë se dy javësh, ndërsa situata mbetet e tensionuar mes banorëve dhe forcave të rendit.
