Gjykata Kushtetuese ka dhënë një sqarim zyrtar lidhur me vendimin për çështjen e pezullimit të Belinda Ballukut nga detyra e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës.
Gjatë seancës së sotme, ku u shqyrtua padia për pagat e gjyqtarëve, Kushtetuesja bëri me dije se po punon për përgatitjen e vendimit të arsyetuar për çështjen “Balluku”, duke theksuar se zbardhja do të bëhet brenda afatit ligjor 30-ditor, madje përpara përfundimit të tij.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese, me një votim 4 me 4, rrëzoi ankimimin e kryeministrit Edi Rama, i cili kërkonte shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin e Ballukut. Për shkak të barazimit të votave, ankimimi nuk u pranua dhe pezullimi i saj mbeti në fuqi.
Pas këtij zhvillimi, kryeministri Rama e cilësoi vendimin si precedent të rrezikshëm dhe paralajmëroi ndërhyrje në legjislacion, me synimin që anëtarët e kabinetit qeveritar të mos pezullohen më nga detyra përmes vendimeve gjyqësore.
