Banorët e zonës së Baks-Rrjollit në Shkodër kanë vijuar edhe sot protestën kundër ndërtimit të një resorti luksoz në Velipojë. Prej dy javësh ata kundërshtojnë projektin, duke pretenduar se tokat e tyre të trashëguara po u merren në mënyrë të padrejtë.
Situata u tensionua kur familjarët bllokuan punimet në terren dhe u përplasën me forcat e policisë, duke refuzuar të largohen nga prona që e konsiderojnë të tyren. Sipas banorëve, mbi 80 familje rrezikojnë të mbeten pa tokë për shkak të një vendimi që i njeh pronësinë një personi tjetër.
Protestuesit janë shprehur se nuk do të tërhiqen deri në gjetjen e një zgjidhjeje ligjore dhe kanë paralajmëruar përshkallëzim të reagimit nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh. Ata kanë protestuar më herët edhe para institucioneve qendrore, duke kërkuar ndërhyrje dhe rishikim të vendimeve për pronësinë.
