Blushi: Siguria ushqimore në alarm kombëtar, po rrezikohet shëndeti i qytetarëve

Data

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka mbrojtur në Komisionin e Shëndetësisë projektligjin e propozuar nga grupi parlamentar i kësaj force politike për forcimin e sigurisë ushqimore në vend, duke e cilësuar situatën si një emergjencë kombëtare.

Sipas Blushit, tregu shqiptar është përmbytur nga produkte të skaduara dhe të kontaminuara, ndërsa mungesa e kontrollit efektiv dhe e laboratorëve të certifikuar ka vënë në rrezik shëndetin e konsumatorëve dhe ka dëmtuar fermerët e ndershëm vendas.

Ai theksoi se projektligji synon forcimin e mekanizmave të kontrollit, garantimin e analizave të produkteve ushqimore dhe mbrojtjen e markës “Made in Albania”. Blushi përmendi raste të importit të mishit me salmonelë dhe produkteve të tjera të kontaminuara, duke shtuar se shumë produkte të refuzuara në vendet e BE-së përfundojnë në tregun shqiptar.

Në fjalën e tij, ai ngriti shqetësimin për rritjen e sëmundjeve tumorale, të cilat sipas mjekëve lidhen edhe me konsumimin e ushqimeve të kontaminuara me pesticide. Gjithashtu, ai theksoi se produktet bujqësore shqiptare janë kthyer mbrapsht nga tregjet europiane për shkak të mungesës së analizave të duhura dhe standardeve të sigurisë.

Blushi i bëri thirrje anëtarëve të komisionit të votojnë pro projektligjit, duke e konsideruar atë një nismë në mbrojtje të drejtpërdrejtë të shëndetit publik dhe jetës së qytetarëve. Sipas tij, çdo vonesë në ndërhyrje do të vazhdojë të penalizojë konsumatorët dhe fermerët shqiptarë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related