Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin italian Cosimo Notaristefano, i dyshuar si pjesë e një rrjeti mashtrimi financiar që operonte përmes një call center-i në Tiranë.
Notaristefano u arrestua në Portin e Durrësit, teksa po tentonte të largohej drejt Italisë. Në seancë, ai deklaroi se ka qenë thjesht i punësuar si teknik dhe se nuk kishte dijeni për skemën e mashtrimit të hetuar nga SPAK. Sipas tij, nuk kishte rol në investimet e pretenduara të shtetasve të huaj dhe kërkoi një masë më të lehtë sigurie, duke përmendur edhe probleme shëndetësore.
Megjithatë, gjykata vendosi ta lërë në burg, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të rrjetit.
Nga operacioni janë arrestuar edhe tetë persona të tjerë, ndërsa në kërkim janë shpallur tre vëllezërit Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, të dyshuar si drejtues të skemës së mashtrimit.
Hetimi nisi pas ankesave të disa shtetasve italianë, të cilët pretenduan se ishin mashtruar përmes investimeve të rreme. Sipas autoriteteve, paratë e përfituara nga aktiviteti i dyshuar kriminal transferoheshin nëpërmjet kriptovalutave, në portofole virtuale të menaxhuara nga drejtuesit e grupit.
