Të paktën tre protestues antiqeveritarë mbetën të lënduar mbrëmjen e 16 shkurtit në qendër të Novi Sadit, pas përplasjeve mes studentëve dhe mbështetësve të pushtetit, të cilët po protestonin paralelisht, të ndarë nga kordone të shumta policore.
Studentët, organizatorë të protestës kundër Qeverisë së Serbisë, akuzuan mbështetësit e pushtetit se i sulmuan para ndërtesës së Teatrit Kombëtar Serb. Sipas tyre, disa persona të veshur me të zeza i kanë goditur dhe shtyrë, ndërsa reagimi i policisë ka ardhur me vonesë.
Në momentin e incidenteve, brenda teatrit po zhvillohej një akademi solemne me rastin e 200-vjetorit të institutit kombëtar serb “Matica srpska”. Në aktivitet morën pjesë zyrtarë të lartë, përfshirë kryetarin e Partisë Përparimtare Serbe, Millosh Vuçeviq, dhe patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
Dëshmitarë okularë thanë se një grup mbështetësish të pushtetit u vërsulën ndaj studentëve dhe gazetarëve. Pas ndërhyrjes së policisë, të sulmuarit u shoqëruan në anën tjetër të kordonit.
Protestat kundër qeverisë në Serbi vijojnë prej më shumë se 15 muajsh. Ato nisën pas incidentit tragjik në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Fillimisht me kërkesa për përgjegjësi, protestat janë shndërruar në thirrje për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe dorëheqjen e pushtetit.
Deri më tani, nga Partia Përparimtare Serbe nuk ka pasur reagim zyrtar lidhur me incidentin.
