Televizioni zviceran SRF ka rikthyer në vëmendje videon ku kryeministri Edi Rama shfaqet duke ironizuar presidentin amerikan Donald Trump gjatë një samiti, moment që – sipas medias – u përhap me shpejtësi në mbarë botën.
Në një kronikë kushtuar nismës së ashtuquajtur “Bordi i Paqes”, SRF thekson se ndërsa disa vende evropiane hezitojnë t’i bashkohen kësaj strukture, shtete të Ballkanit si Shqipëria, Kosova dhe Bullgaria po shfaqin interes të shtuar për anëtarësim.
Sipas raportimit, për Shqipërinë motivi lidhet me përpjekjen e Ramës për të qenë pranë Donald Trump, sidomos pas episodit të shumëkomentuar ku ai reagoi me humor ndaj një deklarate të presidentit amerikan, i cili kishte ngatërruar Armeninë me Shqipërinë. Media zvicerane e publikoi sërish videon, duke theksuar se momenti u bë viral ndërkombëtarisht.
Në analizë përfshihet edhe Kosova, ku sipas politologut Leart Hoxha, anëtarësimi në këtë bord do të përbënte një hap të rëndësishëm diplomatik, pasi Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe kërkon hapësira ku të trajtohet si e barabartë.
Sa i përket tarifës së anëtarësimit, e cila përmendet në vlerën 1 miliard dollarë, përfaqësues të Kosovës kanë deklaruar se nuk u është kërkuar një shumë e tillë dhe se statutet nuk e parashikojnë pagesën e detyrueshme për të gjitha shtetet anëtare.
Raportimi i SRF e vendos çështjen në një kontekst më të gjerë diplomatik, duke theksuar se për vendet e Ballkanit, marrëdhëniet me SHBA-të mbeten me rëndësi strategjike.
